dritaislame.info

HARTA E RRUGËS SË REFORMAVE NË NOMENKLATURËN E RAMAZANIT

Bashkim Aliu
Ramazani, ky muaj i bekuar i ngritjes dhe pastrimit shpirtëror dhe i krijimit forcash sinergjie që do të sjellin ndryshime që do të reflektojnë në jetën shpirtërore, intelektuale, sociale, ekonomike dhe morale. Reflektimi i muajit të bekuar të Ramazanit është i gjithanshëm duke mos lënë shteg që të goditet stagnimi, regresi dhe forcat destruktive në mënyrë selektive e sipërfaqësore, por në mënyrë gjithpërfshirëse dhe të thellë në përmbajtje dhe formë, duke e bërë humanen dhe shpirtëroren, dominante mbi materialen dhe egoizmin. Pikërisht ky karakter i Ramazanit është dështimi më i dhimbshëm i forcave destruktive, duke u dëshpruar në mënyrën se si Ramazani i pushton zemrat dhe i përvetëson simpatitë e njerëzve.
Thelbi i dimensioneve të Ramazanit ka lidhje organike me dy momente fundamentale të platformës mbarënjerëzore islame në ngritjen e bashkësisë konstruktive në koegzistencë me botën përreth, edhe atë:
Nata e Kadrit: Muaji i Ramazanit është i pandarë nga nata e Kadrit, ngase kjo natë është në këtë muaj, dhe jo në muaj tjetër. Me këtë rast, nuk janë të rëndësishme debatet për natën konkrete brenda Ramazanit kur rastis Kadri, ngase nuk prodhojnë efekte qenësore në raport me këtë natë, edhe pse kanë impakt në mënyrën e trajtimit të kësaj nate nga ana e njerëzve, nëse shihen në këndin e përkushtimit të njerëzve në adhurim në këtë natë, varësisht prej animit të tyre se kur saktë është kjo natë.
Nata e Kadrit, ka shumë veçori që e bëjnë atë të veçantë nga netët tjera, dhe që i japin pozitë të veçantë shumë speciale në mesin e njerëzve, edhe pse, dy janë momentet kryesore, për aspektin e trajtimit të kësaj teme, nga këndvështrimi ynë, në natën e Kadrit, edhe atë:
a-Të qenit e kësaj nate më e vlefshme se një mijë muaj. Në Kur’an qëndron:<>[el-Kadr:3]. Mesazhi i këtij atributi të natës së Kadrit është se, për të arritur rezultate të dëshiruara dhe për t’u ngritur në pozitën meritore në arenën e popujve, në funksion duhet vënë edhe nata, e jo vetëm dita, ngase nata, në mësimet islame, është moment i veçantë, vlerën e së cilës nuk e arrijnë as ditët, në kuptim të lartësisë së adhurimit dhe përkushtimit në të, e në veçanti vlefshmërinë e natës së Kadrit ne raport me muajt. Vlera madhështore e kësaj nate, aludon në faktin se natën duhet ta bëjmë ditë, ngase në esencë, kjo natë është edhe më e ndrtishme se dita, në sajë të vlerës dhe dallimit nga netët tjera. Edhe Naim Frashëri na thotë se duhet punë e punë, natë e ditë, që të shohim pakëz dritë.
b-Nata e Kadrit është nata e shpalljes së librit të fundit të Zotit drejtuar njerëzimit-Kur’anit. Ramazani nga kjo perspektivë lidhet ngushtë me librin, dijen, lapsin, mësimin dhe leximin. Me pak fjalë, është muaj i dijes. Kjo e bën natën e Kadrit, si dhe muajin e Ramazanit, simbol të ngritjes intelektuale dhe arsimit, pasi kemi të bëjmë me natë dhe muaj të librit. Mesazhi i kësaj karakteristike të natës së Kadrit është hapja e frontit më të madh dhe më të sofistikuar në luftimin e injorancës, analfabetizmit, padijes, mediokriteteve dhe papërgjegjsisë shkencore. Ky rezatim i natës së Kadrit dhe muajit të Ramazanit, si simbole të librit, shkrimit, shkronjave, leximit dhe lapsit, duke u shpallur për gjithë njerëzimin, por në një popull të zhytur në injorancë, padituri dhe analfabetizëm, fokusohet në dijen si shpëtim të njerëzimit dhe në reformat në arsim, si instrumente efektive të ndërtimit të brezave. Nuk do të mund të ndërtojmë shoqëri kohezive, stabile dhe prosperuese, nëse nuk i reformojmë brezat përmes reformimit dhe ndërtimit të arsimit. Pa programe të përparuara arsimore, nuk do të kemi shoqëri të përparuar. Së këtejmi, shpallja e librit të Zotit, i fundit në serinë e librave hyjnorë, në një ambient të mbytur në analfabetizëm dhe injorancë, është tregues i qartë se ndërtimi i shëndoshë i shoqërië dhe brezave të komunitetit, kërkon reforma rrënjësore në sferën e arsimit dhe edukimit.
Nevoja e reformave në arsim, si rrugë e duhur për ngritjen e shoqërisë, shihet edhe me rastin e Pandemisë Covid-19, kur për shkak ndërprerjes së procesit mësimor nëpër shkolla, dhe paqartësisë se sa do të zgjasë kjo gjendje, ministritë e arsimit nuk kishin përgjigjje si më tutje, dhe as që kishin plane konkrete për raste emergjente, si të zhvillohet procesi mësimor. Së këtejmi, Covid-19, testoi sistemin arsimor, duke e goditur rëndë dhe duke e ndezur alarmin për reforma urgjente, gjë që nata e Kadrit ia dha si mesazh njerëzimit që para më tepër se njëmijë e pesëqind vjetësh. Nata e Kadrit, është thirrja më e madhe e reformave në arsim në njërën anë, dhe fronti më i madh, më serioz dhe përmbajtësor i luftimit të injorancës, analfabetizmit dhe paditurisë, në anën tjetër.
Në dritë të kësaj, duket qartë se, edhe përskaj dominimit të debateve dhe diskutimeve për pasojat ekonomike, si dhe pakove ekonomike për zbutjen e pasojave dhe shpëtimin e vendeve të punës së punëtore, me rastin e Pandemisë Covid-19, megjithatë, reformat në arsim, imponohen si faktor kyç me prioritet për të mirën e njerëzimit.
Bujaria: Ramazani lidhet ngushtë edhe me bujarinë, tipar ky që e ka karakterizuar të Dërguarin e Allahut, në veçanti në muajin e bekuar të Ramazanit, e që normalisht, jep mesazh për pasuesit e tij se edhe ata duhet të jenë të këtillë, bile kjo është vlerë mbarënjerëzore që duhet të jetë veti dalluese e njerëzve të ngritur dhe të formuar. Në një hadith, ku përshkruhet bujaria e të Dërguarit të Allahut, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, në mesa tjerash thuhet:”I Dërguari i Allahut ka qenë njeriu më bujar, e edhe më bujar ka qenë në muajin e Ramazanitz kur e takonte engullin Xhibril….”[Hadithin e transmeton Buhariu].
Krahas kësaj, Ramazani lidhet drejpërdrejtë me Sadekatu-l-Fitrin (lëmoshën e veçantë të Ramazanit, si dhe me Zeqatin, në kuptim të vlerës së madhe të përcaktimit të muajit të Ramazanit si muaj i plotësimit të afatit kohoro njëvjeçar të pasurisë, me çka obligohet edhe dhënia e Zeqatit.
Së këtejmi, bujaria e veçantë e të Dërguarit të Allahut, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, në muajin e Ramazanit, lëmosha e veçantë e muajit të Ramazanit-Sadekatu-l-Fitri, si dhe preferimi e dhënies së Zeqatit në Ramazan, por edhe e çdo mirësie tjetër, përbëjnë platformën sociale islame dhe drejtësinë sociale, si postulate bazë të mirëqenies dhe drejtësisë shoqërore.
Krahas prodhimit të efekteve të drejpërdrejta nga nata e Kadrit në drejtim të reformave në arsim, këto elemente sintetike të Ramazanit, përbëjnë tharmin e platformës sociale, drejtësisë ekonomike si dhe reformave sociale, për të ndërtuar shoqëri me vlera dhe breza të shëndoshë. Po ashtu, Pandemia Covid-19, ngriti shqetësimin edhe për qëndrueshmërinë e sistemeve sociale të shoqërive moderne në përballje me sfida serioze dhe raste emergjente. E gjithë kjo gjeneron domosdoshmëri të rishikimit të programeve sociale dhe nisjen e reformave serioze, për të evituar artificet e kujdesit për programet sociale nga ana e qeverive, me çka vetëm se vagëllohen dështimet në planin e politikave sociale në emër të drejtësisë sociale. Por, Covid-19, na bëni të rryer në refuzimin e formave pa esencë. Pikërisht Ramazani, me bujarinë e veçantë të të Dërguarit të Allahut, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, lëmoshës së veçantë të Ramazanit, dhe avantazhit të dhënies së Zeqatit në këtë muaj, na orienton në nevojën e reformave sociale dhe domosdoshmërinë e drejtësisë sociale për zhvillimin dhe prosperitetin e shëndoshë të shoqërive njerëzore.

Postimet e lidhura