dritaislame.info

29 VITE “DRITA ISLAME”

Në vitin 1967, Shqipëria u shpall shteti i parë ateist në historinë e njerëzimit, i cili kulmoi me aksionin e madh për çrrënjosjen e xhamive e kishave, duke i sjellë vendit një dëm të dyfishtë edhe për vlerat e pazëvendësueshme kulturore, historike e arkeologjike të këtyre objekteve. Nëpërkëmbja e të drejtave minimale demokratike e humanitare të qytetarit, zgjati gati pesë dekada. Me rënien e sistemit komunist, me ndihmë edhe të popujve miq, Shqipëria u integrua në pluralizëm. Më 1990, u rivendos liria e fesë. Institucioni i Komunitetit Mysliman i sapongritur, paralelisht me punën e hapjes së xhamive, duke vlerësuar situatën, e pa si nevojë të ngutshme nisjen e botimeve, ku i jepej përparësi shtypit periodik.

Ka qenë traditë e kahershme që institucionet përfaqësuese të komuniteteve fetare, të kenë mjetet e tyre të komunikimit masiv, kryesisht ato të shkruara në formën e gazetës dhe revistës, si dhe së fundmi të radiove, faqeve të internetit, rrjeteve sociale etj. Ditën e premte, më 10 janar 1992, doli numri parë i gazetës “Drita Islame”. Kryeredaktor i gazetës u caktua Ismail H. Muçej. Autorë, të kudondodhur nëpër Shqipëri, i rritën pretendimet ndaj artikujve të tyre, për t’u paraqitur me tematikë të larmishme çdo herë më të përmirësuar. Dinamika e zhvillimit në drejtim të cilësisë së shkrimeve, u orientua në kahun e prosperitetit, së bashku me zgjerimin e rrethit të bashkëpunëtorëve.

Përmbajtja e gazetës karakterizohej jo vetëm nga botimi i mesazhit islam për një popull të etur për besim, por përmes analizave, sugjerimeve dhe kritikave të ndryshme, ka funksionuar edhe si një zë publik dhe elitar i klerit mysliman me besimtarët, shtresat e shoqërisë dhe institucioneve publike e private, të gjitha këto në lidhje me çështje të nxehta që preknin realitetin shqiptar. Që në numrin e parë, gazeta shpalosi misionin e saj shoqëror dhe kombëtar, ku synonte zgjimin e ndërgjegjes fetare te besimtarët e saj në bazë të mësimeve morale të Kur’anit, duke e zhveshur nga të gjitha mbresat e dëmshme të lëna nga ateizmi për afro gjysmë shekulli.

Në një moment kur Shqipëria po përballej me një nga krizat më të mëdha të periudhës paskomuniste, atë të firmave piramidale në vitin 1997, KMSH përmes DI sqaroi pozicionin e saj ndaj kësaj çështjeje, duke i ofruar çdo besimtari të vërtetën islame ndaj kamatës apo fajdes: “Si fe humanitare që është, Islami e ndalon marrjen e interesit përkundrejt një huaje të dhënë dhe e konsideron atë si një akt që shkon në kundërshtim me atributin e Zotit”[1],  thuhet në një editorial të posaçëm të publikuar në shkurt të 1997-ës.

Mesazhi i përcjellë nga Drita Islame është jo vetëm fetar, por ajo trajton një sërë çështjesh problemore që kanë të bëjnë me edukimin, ekonominë, normat e sjelljes komunitare, çështje me karakter social e politik etj. Nga një vështrim i thjeshtë që mund t’i bësh çdo numri të gazetës/revistës, vihet re një larmi e gjerë analizash mbi çështje të ndryshme që kanë të bëjnë me besimin, artin, kulturën, kombin etj.. Mjafton të shfletosh faqet e gazetës/revistës dhe që nga viti 1992 e deri më sot, do të gjesh tema nga më të larmishmet, të cilat synojnë lexues të profesioneve, etnive dhe besimeve të ndryshme. “Drita Islame” ka edhe një meritë tjetër, atë të kujdesit të posaçëm që ka treguar për të respektuar arritjet bashkëkohore të gjuhës sonë me komponentët e saj, që ne e konsiderojmë si një kontribut me vlerë në drejtim të kulturës gjuhësore në të shkruar, pse jo, edhe në të folur.

Duke nisur nga nëntori i vitit 2011, Drita Islame nisi publikimin e saj edhe përmes internetit. Në këtë mënyrë, ajo përmes kanaleve virtuale, arriti të komunikojë me lexues përtej çdo kufiri kohor apo hapësinor. Nëpërmjet adresës zyrtare të saj www.dritaislame.al, ajo përcjell tek vizitorët jo vetëm informacion fetar mbi Kur’anin, hadithin, fikhun, por edhe zhvillime nga aktivitete dhe takime të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare, tematika sociale mbi shoqërinë dhe familjen, komente, hapësirë fëminore, njohuri mbi shëndetin etj.

Në këtë fillimvit, “Drita Islame” mbushi 29 vjet veprimtari të jetës në shërbim të myslimanëve dhe të të gjithë qytetarëve të kombit tonë, pa dallim ngjyre, religjioni apo shtrese shoqërore. Kontributi dhe arritjet e “Drita Islame” nuk mbarojnë këtu, veprimtaria e saj është mirëpritur nga vetë lexuesit. Me rastin e 29 vjetorit të organit të shtypit “Drita Islame”, vëmendje të posaçme e përgëzime, në mënyrë të veçantë meritojnë të gjithë ata, që, për të paraqitur idealet, mendimet apo rezultatet e kërkimeve të tyre studimore, zgjodhën “Drita Islame”.

Dorian Demetja

Postimet e lidhura