dritaislame.info

RAMAZANI, MESAZH HUMANITETI DHE NJOHJE MES NJERËZVE

Bashkim Aliu

Muaji i Ramazanit është muaji i nëntë i kalendarit islam lunar, dhe në këtë muaj muslimanët agjërojnë. Agjërimi është një nga pesë detyrat praktike të obliguara të fesë islame për muslimanët, dhe këtë detyrë muslimanëve ua ka obliguar Zoti në Kur’an dhe e ka sqaruar praktikisht profeti Muhamed, paqa e Zotit qoftë mbi të, në thëniet dhe në praktikën e tij.

Të agjërosh në Islam d.m.th. të largohesh nga ngrenia, pija dhe marrëdhëniet intime, prej agimit të ditës, gjegjësisht prej Imsaku, e deri në perëndim të Diellit, gjegjësisht Iftar. Normalisht duhet përmendur se për agjërimin ka rregulla që u dedikohen grupeve të caktuara të cilët për shkaqe të arsyeshme në fenë islame nuk mund të agjërojnë, që don të thotë se janë marrë parasysh të gjitha kategoritë e njerëzve.

Siç shihet, element bazë te agjërimi është largimi nga ushqimi. Mirëpo, ky nuk është qëllimi final i agjërimit, por është mjet për të arritur te qëllimi final. Qëllimin final të agjërimit e ka treguar Zoti i Madhërishëm në Kur’an, kur thotë: “O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm. (jeni të obliguar për) Ditë të caktuara, e kush është i sëmurë prej jush ose është në udhëtim (e nuk agjëroi), atëherë ai (le të agjërojë) më vonë aq ditë. E ata që i rëndon ai (nuk mund të agjërojnë), janë të obliguar për kompenzim, ushqim (ditor), i një të varfëri ai që nga vullneti jep më tepër, ajo është aqë më mirë për te. Mirëpo, po që se dini, agjërimi është më i mirë për ju.” (El-Bekare: 183-184).

Përmes urisë dhe largimit nga ushqimi, Ramazani na bën më human, sepse ne e ndjejmë në veten tonë çdo të thotë të mos keshë ushqim, siç është rasti me shumë njerëz sot nëpër botë të cilët kanë mungesë ushqimi. Pra, në Ramazan ne praktikisht e kuptojmë hallin e atyre që nuk kanë ushqim dhe kjo na nxit të jemi edhe më human, se sa vetëm nëse këtë e dimë teoretikisht. Me theks të veçantë, në këtë kohë, uria dhe etja në Ramazan, na bën më senzibil me refugjatët në krizën më të madhe të refugjatëve që ka njohur bota pas Luftës së Dytë botërore. Të gjithë ne i shohim në TV, gazeta dhe rrjetet sociale vuajtjet, urinë dhe vështirësitë e refugjatëve, të cilët nga lufta kanë qenë të detyruar ti lëshojnë shtëpitë e veta, por ne këtë e bëjmë ndoshta duke ngrënë fruta të freskëta, duke qëndruar në apartament luksoz me të gjitha kushtet, duke mos patur të ftohtë në dimër dhe as vapë në verë, sepse banesën e kemi të klimatizuar. E Ramazani na bën që brenda këtyre të mirave që i kemi, të kthehemi në një mënyrë praktikisht në vuajtjet e refugjatëve dhe hallexhinjve tjerë, ta rikujtojmë se si është të jeshë pa ushqim. Për atë, i falënderoj të gjithë ata që ndihmojnë për refugjatët, dhe u bëj thirrje të gjithëve që të vazhdojnë ta shtrijnë dorën e ndihmës për ta dhe të gjithë hallexhinjtë tjerë anekënd botës. Dhe ja Ramazani është një shansë ideale për tu senzibilizuar edhe më tepër me refugjatët, të ikurit dhe të gjithë hallexhinjtë. Shikuar nga një këndëvështrim tjetër, ky element i rëndësishëm i agjërimit, e ven njeriun para përgjegjësisë shoqërore, gjegjësisht e nxjerr nga lëvozhga e ngushtë e të qenit vetjak dhe i orientuar vetëm në realizimin e interesave personale, por e bën të jetë shoqëror dhe të mban përgjegjësi kolektive..

Elementi i dytë që duhet të përmendet me theks të veçantë për Ramazanin është ai i njohjes reciproke. Pra në ramazan njerëzit njihen më tepër duke u vizituar, duke e uruar njëri tjetrin me ardhjen e ramazanit. Po ashtu, në shumë shtetet, zrytarët shtetëror shtrojnë iftare për krerët fetarë në vendet e tyre, me çka ngritet niveli i komunikimit në shoqëri mes komuniteteteve të ndryshme fetare, dhe kjo e shton besimin e ndërsjellë, e forcon sigurinë, paqën dhe kohezionin shoqëror. Pastaj në nivel të masës së gjërë të popullit, preferohet që për Ramazan të thirren në iftare miqt, të afërmit, shokët, fqinjët, bile edhe nëse nuk janë musliman, me qëllim që të afrohen njerëzit edhe më tepër, të afrohesh dhe të njihesh më mirë me fqiun tënd, me shokun, me kolegun e punës etj. Në veçanti, muslimanët të cilët jetojnë në Perëndim, në shoqëri ku dominojnë pjestarët e feve tjera, dhe këta janë fqinj dhe kolegë të punës, me ta, duhet të jenë të kujdesshëm në avansimin e këtij elementi të Ramazanit. Dhe kjo pra e betonon konstatimin se Ramazani ka karakter të njohjes mes njerëzve, që është edhe një nga qëllimet e Islamit.

Allahu në Kur’an ka thënë: “O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s’ka dyshim se te Allahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (nga të këqijat), e Allahu është shumë i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë” (Huxhuratë: 13).

Në fakt, Kur’ani flet se ndarja e njerëzve në popuj, raca, fise, dhe bashkësi të ndryshme, nuk është që ata t’i thellojnë ndarjet dhe të hyjnë në konflikte për ta zhdukur tjetrin, por për t’u njohur, që don të thotë se, sipas Kur’anit, askush nuk ka të drejtë ta luftojë tjetrin thjesht vetëm pse nuk i takon besimit të tij, nëse ai nuk i shpreh armiqësi dhe nuk e lufton atë. Kjo i demanton qartë ata të cilët sot ushtrojnë dhunë në emër të besimit, qofshin në Europë, Azi apo në vende tjera. Dhe nisur nga kjo, udhëheqësit e komuniteteve muslimane në Perëndim, si dhe institucionet relevante të muslimanëve në çdo anë të botës, janë solidarizuar me viktimat dhe i kanë dënuar aktet e dhunës të cilësdo natyrë qofshin.

Në fund, e përmbylli me një tregim të shkurtër. Thuhet se profeti Jusuf, e që në Bibël quhet Josef, ka agjëruar shumë. Dhe kur e kanë pyetur se pse e bën këtë, ka thënë: “Me qëllim që mos i harroj të varfërit.” Jusufi, paqa e Zotit qoftë mbi të, këtë e ka thënë kur ka qenë përgjegjës për rezervat ushqimore në Egjipt, dhe i ka patur në dorë depot e ushqimit në vitet e thatësisë të cilat e kapluan Egjiptin në kohën e tij.

(Kumtesë e lexuar në gjuhën gjermane në takimin e organizuar nga prefekteja e qytetit të Cyrihut, Corine Mauch, me personalitetet fetare, me rastin e ardhjes së muajit të Ramazanit).

Postimet e lidhura