dritaislame.info

A JAM EDHE UNË NDIHMËS I ZULLUMQARËVE O IMAM?

A JAM EDHE UNË NDIHMËS I ZULLUMQARËVE O IMAM?
(Apel për t`i dalë zot vetes – Reflektime pas aksidentit që mori 46 jetë të pafajshme)

“Dhe mos anoni nga ata që bëjnë të këqija, përndryshe do t’ju përcëllojë Zjarri. Ju nuk do të keni mbrojtës tjetër përveç Allahut dhe nuk do të ndihmoheni (nga askush).” (Hud: 113)

Imam Ahmedi r.h. u burgos padrejtësisht vetëm pse nuk e pranonte besimin e devijuar të sektit mu’tezilit që në atë kohë ishte në pushtet.

Roja e burgut ku u vendos imam Ahmedi ishte një njeri besimtar, i cili dekada me radhë i kishte shërbyer shtetit qysh në kohën përpara se ky sekt të vinte në pushtet. Ai nuk pajtohej me padrejtësitë që bënin eprorët e tij, e as që besonte në devijimet e tyre, por nuk kishte guxim t’i kundërshtonte, sepse kishte frikë se, në mos e vrafshin, të paktën do ta burgosnin dhe torturonin.

Si njeri i mirë që ishte, atij i vinte shumë keq për imamin e burgosur padrejtësisht, prandaj çdo ditë interesohej për të dhe mundohej që aq sa mundej ta trajtojë mirë. Një ditë, me brejtje ndërgjegjeje erdhi tek imam Ahmedi, i tregoi që kishte dëgjuar një hadith ku Pejgamberi a.s. ua tërheq vërejtjen atyre që u dalin krah e u ndihmojnë të padrejtëve, prandaj e pyeti:

  • A JAM EDHE UNË NDIHMËS I TË PADREJTËVE, O IMAM?!

Atë e hante ndërgjegja, sepse si shërbyes i një pushtetari të padrejtë, po mbante të burgosur një njeri të pafajshëm, për më shumë një imam që luftonte kundër padrejtësive, prandaj edhe e pyeti atë, me shpresë që mbase ai do ta arsyetonte dhe t´i thoshte që ai si një roje e shkretë ishte i pafuqishëm, s’kishte faj, fundja: ai s’mund ta ndryshonte të gjithë sistemin i vetëm. Por ama imami e befasoi me përgjigjen e tij, ai i tha:

  • Jo, ti nuk je ndihmës i zullumqarëve. Ndihmës të zullumqarëve janë ata që t´i qepin teshat, ata që të gatuajnë ushqimin në shtëpi dhe që të ndihmojnë të jesh ky që je. Ndërsa ti, ti je zullumqari vetë.

Mbase dikujt përgjigja e imamit mund t’i duket e tepruar, por në të vërtetë ajo është shumë e drejtë. Sepse çdo gjë tjetër është vetëm shpërlarje e kokës me akull dhe arsyetim i padrejtësive që ne i bëjmë me duart tona, por për të cilat fajin duam t’ia hudhim dikujt tjetër.

Kjo ngjarje dhe këto fjalë të imam Ahmedit, sikur të ishin thënë për shoqëritë tona shqiptare sot, në këtë shekull. Ne sot, të gjithë, pa përjashtuar askënd e as veten time, jemi ndihmës të padrejtësive që na bëhen çdo ditë në vendlindjet tona. Sepse ne me heshtjen tonë, me mosçarjen e kokës saherë që dikujt tjetër i ndodh një padrejtësi, sepse ne duke menduar se mjafton të lutemi që Allahu ta ndihmojë të shtypurin e ta mëshirojë viktimën, sepse ne duke mos dashur t’i hidhërojmë të padrejtët, e mbase edhe duke bërë nga një padrejtësi të vockël në sytë tanë, përmes të gjithë këtyre veprimeve ne e arsyetojmë veten duke thënë që jemi të dobët, jemi vetëm, s´mund të ndryshojmë gjë, ose sepse padrejtësitë që ne i bëjmë na duken si të vogla e pandikim. Njësoj si puna e rojes së burgut ku qëndronte imam Ahmedi, që vetes i thoshte: nuk bëj gjë unë, unë thjesht e mbyll dhe e hap burgun, por vendimin për ta burgosur imamin se kam marrë unë, e ka marrë dikush tjetër më i fuqishëm, përballë të cilit unë jam i pafuqishëm.

E vërteta është se të gjithë ne, që nga ata që heshtin sepse janë të paprakur vetë nga padrejtësitë në fjalë, pastaj ata që bëhen sikur nuk ka ndodhur asgjë dhe ua mundësojnë të padrejtëve vazhdimin më tutje, e deri tek ata që përmes “imtësirash” i ndihmojnë zullumqarët, si puna e një nënshkrimi në një dokument të fallsifikuar, një mbyllje syri aty ku duhet mbajtur sytë hapur, a një dëshmie të rrejshme, të gjithë ne jemi fajtorë për padrejtësitë që na ndodhin, për sa kohë që së bashku nuk e luftojmë të keqen. Të padrejtët, keqpërdoruesit janë gjithmonë pakicë, është ndihma dhe neglizhenca e të mirëve ajo që ua mundëson t´i ushtrojnë padrejtësitë e tyre.

Allahu na bëftë të zotë të vetes, na ruajtë nga çdo e keqe dhe na mundësoftë të jetojmë me dinjitet e nder ashtu siç na ka krijuar si qenien më të dinjitetshme!

“Dhe mos anoni nga ata që bëjnë të këqija, përndryshe do t’ju përcëllojë Zjarri. Ju nuk do të keni mbrojtës tjetër përveç Allahut dhe nuk do të ndihmoheni (nga askush).” (Hud: 113)

Ensar Sinani
24.11.2021
Hamburg

Postimet e lidhura